• E mërkurë, 23 Korrik, 2025

GazetaFAKTI, VIJIMËSIA E NJË TRADITE QË FILLOI NË VITIN 1998

EA
Korrik13/ 2025

Nga Emin AZEMI/Botues, kryeredaktor

GazetaFAKTI, që tani po editohet vetëm si portal Gazetafakti.mk (Gazetafakti.com dhe Gazetafakti.ch), është pjesë e vijimësisë së një tradite që ka filluar me daljen e numrit të parë (më 10 prill 1998) të kësaj gazete të pavarur në gjuhën shqipe në Maqedoni. Riformatimi në formë elektronike, misionit të gazetës sonë i jep një dimension tjetër, por vetëm në aspektin teknologjik.
Në aspektin profesional, GazetaFAKTI nuk do të mbaj as anë, por nuk do të jetë as neutrale. Sepse më së lehti është të mbash anë, ose të jesh neutral, siç veprojnë shumica e mediave.
Ata që mbajnë anë, këtë e bëjnë të udhëhequr nga bindja se ky mund të jetë ndoshta pozicioni më i favorshëm që iu sjell përfitime më të shumta (të natyrave të ndryshme)  medias që ata drejtojnë.
Ata që mundohen të jenë neutral, e kanë pakëz më vështirë, sepse kostoja e neutralitetit zakonisht ose kalkulohet gabimisht, ose merr trajta të pakuptimta të mospasjes qëndrim për çështje e problem të caktuara.
GazetaFAKTI do të veprojë pak më ndryshe. Ajo do të mundohet t’iu jep drejtim (zgjidhje) çështjeve, që në shikim të parë duken të komplikuara dhe me shumë të panjohura.
Të mos mbash anë – të mos jesh neutral, kjo për dikend mund të tingëlloj shumë e paqartë si formulë, por fshehtësia e kësaj formule është e natyrës krejt profesionale, që lidhet me etikën për të vërtetën dhe të pasurit qëndrim për një kauzë a ide që jo çdo kujt mund t’i ingëlloj bukur në vesh. Kjo edhe për faktin se jetojmë në kohën kur lajmet e rrejshme janë bërë pjesë e linjave editoriale të shumë mediave dhe kur politika, si asnjëherë më parë, po gjen tek mediat aleatin e duhur për të ushtruar ndikim me kosto shumë të lirë, por me pasoja shumë të mëdha.
GazetaFAKTI bën pjesë në atë grup mediash që nuk ka pretendime se ndryshimet vijnë atëherë kur mediat rreshtohen përkrah ndonjë kauze. Madje kauzat po ndodhin edhe pa qenë gjithaq të varuara nga mediat, sepse çdo kauzë, tash më në epokën e digjitalizimit dhe të rendit të ri botëror,  është një medie në vete. Dhe nevoja për të qenë të pavarura nga mediat, po e aftëson një pjesë të madhe të politikës dhe ekonomisë globale të prodhojë realitete konkurruese me ato mediatike. Krizat aktuale që po shpërthejnë në pika të ndryshme të globit, po embrionohen larg syve të mediave dhe kjo po e bën opinion publik një lloj “plasteline” që merr formë, jo nga mediat, por nga duartë e atyre që i shkaktojnë këto kriza. Ju kujtohet kriza globale e pandemisë, e cila ndodhi jashtë orbitës mediatike dhe për rrjedhojë ajo edhe sot vazhdon të prodhojë legjenda të natyrave të ndyrshme.
Duke qenë të vetëdijshëm për këto rrethana globale në të cilat po veprojnë mediat aktualisht, ne drejtuesit e Gazetës FAKTI, megjithatë, do të mundohemi që t’u lëmë në duar sa më pak “plastelinë” njerëzve të fuqishëm të politikës, biznesit dhe gjithë atyre që fuqinë e ndikimit e bazojnë në resurset e publikut.

Por, nuk do të harrojmë që, megjithatë, të mbajmë në dorë lapsin dhe të shënojmë vijat e holla dhe të trasha të vokacionit tonë editorial, pa i anashkaluar asnjëherë dy interesa: interesin publik dhe interesin e vet medias.
Në përvojën e udhëheqjes me Gazetën FAKTI, jo rrallë na ka ndodhur që këtë interesin e dytë e kemi neglizhuar, duke menduar (gabimisht) se interesi publik kur mbrohet me dinjitet mund të përkthehet edhe në interes të vet medias. Kjo nuk kishte qenë e vërtetë, të paktën kjo mund të thuhet për ambientin tonë sociale politik,  sepse Gazeta FAKTI në shumë raste është ballafaquar me sfida që kanë qenë produkt i mbrojtjes së interesit publik, por kjo nuk i ka ndihmuar kësaj gazete që të ballafaqohet fuqishëm me këto sfida. Përkundrazi, ka ndodhur që redaksia e Gazetës FAKTI është dëbuar dhunshëm nga zyrat e veta ( ne e dijmë se kush e ka orkestruar urdhërin banditesk për këtë dëbim), por për pasojë reagimi qytetar, zyrtar, e politik ka qenë gati zero, edhe pas disa ditëve të mos daljes së gazetës (!).
Prandaj, duke mësuar nga pësimet e së kaluares, GazetaFAKTI do të mundohet të rimarrë veten, por me një kondicion dhe vizion tjetër.
Ajo çka na bën të ndjehemi mirë është vet historia e kësaj gazete, e kësaj shkolle të gazetarisë, dhe lidhja emocionale e miliona lexuesve me këtë gazetë.

Në emër të kësaj historie dhe të kësaj lidhje emocionale, po provojmë sërish t’i ndezim motorët për të risjellur te veshët tuaj uturimën e një gazetarie që e di “ku i pikon çatia”.

Shkojmë më tutje!

Shkup, 14 qershor 2025
 

Spread the love