• E hënë, 21 Korrik, 2025

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, opozita akuzon Kurtin

EA
Korrik13/ 2025

Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Shkak për dështimin e 46-të në radhë ishte mos arritja e 61 votave të nevojshme nga mazhoranca për t’i hapur rrugën votimit të fshehtë, si edhe votimit të Albuela Haxhiut si kryetare të Kuvendit, propozim i Lëvizjes Vetëvendosjes dhe aleatëve të saj në mazhorancë.

Seanca e radhës do të mbahet të martën, më 15 korrik, në orën 11:00.

Pas dështimit të seancës së 46-të të konstituimit të Kuvendit, edhe kësaj radhe partitë e tjera, PDK, LDK e AAK-ja kanë shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për t’i dhënë qëndrimet e tyre lidhur me krizën politike në vend, njoftin Kosovapress.

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku tha se që nga pavarësia e Kosovës, Kosova asnjëherë nuk është përballur me një papërgjegjësi kaq të madhe institucionale, e krejt kjo sipas tij, si pasojë e egos së pa kontrolluar për pushtet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj shtoi se fakti që fjalimet e deputetëve po mbahen pa mikrofon, regji e rekordim zyrtarë nga Kuvendi, tregon se institucioni që duhet të jetë tempull i demokracisë, është sot pasqyrë e një krize të thellë politike që po dëmton funksionimin demokratik të shtetit.

Zemaj tha se kjo është një sabotim i qëllimshëm i shtetit nga LVV-ja.

E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se më 26 korrik bëhen një muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituim të Kuvendit, ndërsa LVV-ja sipas saj, nuk ka angazhim as ditorë, javorë e mujorë për të konstatuar Kuvendin e Kosovës.

Kadrjaj theksoi se kjo po bëhet qëllimshëm për bojkot të konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Spread the love